Nga Agron Duka
Prej një kohe të gjatë, denoncimet e opozitës anatemohen si sulme ndaj integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Po si është e mundur që këta njerëz nuk kuptojnë që pengesë për Integrimin është droga, trafikimi i saj, krimi dhe marrëdhënia e tij e ngushtë me politikën?
Sigurisht kjo është një pyetje retorike, pasi ata e dinë mirë që janë pengesa e vetme. Integrimi nuk është problem i tyre, vetëm mbajtja e pushtetit me çdo kusht është ajo që prish gjumin e mazhorancës.
Kostot për këtë papërgjegjshmëri e mbajnë vetëm qytetarët. Prandaj të dhënat demografike flasin për një Shqipëri që shkon drejt shuarjes; neveria ndaj atyre që duhet të frymëzojnë besim dhe shpresë po zbraz jo vetëm vendin, por edhe maternitetet.
Kufoma e freskët e Rilindjes, është tashmë një model i dështuar i politikbërjes.
Përballë kësaj politike pa moral, arrogante, vetreferuese dhe autike duhen alternativa të reja.
Kërkohet një hapje e madhe drejt shoqërisë, jo vetëm ndaj atyre që tradicionalisht merren me politikë. Duhet të kërkojmë angazhimin dhe përfshirjen e qytetarëve që janë aktiv në komunitet, shoqërisë civile, intelektualëve, akademikëve, sportistëve, fermerëve, sipërmarrësve dhe gjithë atyre që duan të sjellin një frymë të re.
Jo për një përballje midis të djathtës dhe të majtës, jo për përplasje ideologjike; por për një betejë e të mirës kundër të keqes, e qytetarëve kundër krimit, e shpresës kundër shuarjes që kjo mazhorancë po prodhon.