Qeveria është tërhequr nga vendimi për kontratën e ilaçeve, ndërkohë që farmacistët kanë anuluar protestën e tyre. Kjo pasi qeveria ka pranuar kërkesën e tyre, ndërsa riformulimi i kontratës së ilaçeve do të bëhet me diskutime në tryezë.

Garancia në fjalë u dha nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ministrja priti sot në një takim drejtuesen e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, pas shqetësimeve të ngritura gjatë ditëve të fundit prej Urdhrit të Farmacistëve në lidhje me Listën e re të Barnave të rimbursueshme.

"Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe çdo shqetësim do të zgjidhet me dialog. Që nesër ju do të vijoni në grupe të përbashkëta punë me Fondin për të adresuar aty ku është e mundur shqetësimet e ngritura prej jush", tha Manastirliu gjatë takimit.

Përfaqësuesja e Urdhrit të Farmacistëve, në emër të farmacistëve, shprehu vlerësimin për gjuhën e bashkëpunimit që gjeti për zgjidhjen e problematikave të ngritura prej tyre sa i takon kontratave të reja mes farmacive dhe FSDKSH. Bisedimet qeveri-farmacistë janë parashikuar që të mbahen nesër në orën 11:00.