Pas zbulimeve arkeologjike që pezulluan punimet për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës, projekti për godinën e re ndodhet në pritje të lejes së ndërtimit, ndërsa strukturat e zbuluara mbeten ende në territorin e ish-shkollës. Nga vëzhgimi në terren, Amfora dokumentoi bimësi të zhvilluar mes gjetjeve, struktura arkeologjike krejtësisht të ekspozuara dhe të tjera të mbuluara pjesërisht.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit konfirmoi se strukturat arkeologjike të zbuluara gjatë gërmimeve në vitin 2024 ndodhen ende në territor, ndërsa studimi dhe dokumentimi shkencor i tyre vazhdojnë. 

“Aktualisht territori i ish-shkollës ‘Gjergj Kastrioti’, ku ndodhen edhe strukturat arkeologjike të zbuluara, është i rrethuar dhe në zonë nuk është kryer asnjë ndërhyrje prej vitit 2024 e në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Institucioni sqaroi se për mozaikët është kryer faza e konservimit arkeologjik, ndërsa strukturat e tjera janë mbuluar me gjeotekstil për të shmangur degradimin e tyre. Nga pamjet e dokumentuara nga Amfora, materiali mbrojtës është ende i pranishëm mbi një pjesë të strukturave, ndërsa struktura të tjera janë krejtësisht të ekspozuara mes bimësisë së zhvilluar në territor.

Megjithatë, studimi shkencor i gjetjeve nuk ka përfunduar ende dhe vijon sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin për trashëgiminë kulturore. Ministria argumentoi se procesi vijon edhe për shkak se legjislacioni u njeh drejtuesve të projektit të drejtën ekskluzive të publikimit të rezultateve shkencore brenda afateve të përcaktuara.

“Studimi, dokumentimi shkencor i gjetjeve arkeologjike dhe përgatitja e tyre për publikim është ende në proces”, bëri të ditur ministria për Amforën.

Godina e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe u përfshi në programin e rindërtimit. Në gusht të vitit 2024, gjatë gërmimeve për ndërtimin e shkollës së re, arkeologët zbuluan një strukturë monumentale, me dhoma, të paktën katër pishina dhe disa mozaikë, një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të viteve të fundit në Durrës.

Të dhënat e përftuara gjatë gërmimit tregojnë se historia e zonës është më e hershme se vetë vila. Në bazën e saj u identifikuan gjurmë të një vendbanimi që datohet në shekujt III-II Para Erës Sonë dhe lidhet me periudhën historike të mbretërisë ilire.

Një fazë e dytë lidhet me lulëzimin e vilës gjatë shekujve I-II të Erës Sonë, periudhë gjatë së cilës u ndërtuan edhe shumë prej mozaikëve.Gërmimet nxorën në dritë edhe rreth 600 monedha, që datojnë nga shekulli II Para Erës Sonë deri në shekullin VI të Erës Sonë, duke dëshmuar përdorimin e zonës për të paktën 800 vite. Pas zbulimeve, punimet për ndërtimin e shkollës u ndërprenë për t’i hapur rrugë gërmimit arkeologjik të shpëtimit.

Sipas Bashkisë Durrës, projekti për rindërtimin e shkollës është hartuar, ndërsa investimi është përfshirë në buxhetin e vitit 2026 me një fond prej 370 milionë lekësh. Aktualisht, procedura ndodhet në fazën e miratimit të lejes së ndërtimit.

“Për këtë objekt është hartuar projekt-preventivi nga një studio projektuese dhe me Vendimin e Këshillit Bashkiak të datës 23 dhjetor 2025, është miratuar zëri ‘Ndërtim shkolla Gjergj Kastrioti’. Aktualisht është në proces për miratimin e lejes së ndërtimit”, shkroi Bashkia Durrës në përgjigjen zyrtare për Amforën.

Ndërsa bashkia po vijon procedurat për ndërtimin e godinës së re, procesi arkeologjik në territorin e ish-shkollës nuk ka përfunduar ende. Në terren, bimësia është zhvilluar mes dhe përreth strukturave të zbuluara, ku ka struktura krejtësisht të ekspozuara dhe të tjera të mbuluara pjesërisht.

Më 25 tetor 2024, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi raportin e gërmimit arkeologjik dhe vendosi nisjen e procedurave për deklarimin e interesit kulturor të zonës arkeologjike të zbuluar. Vendimi parashikonte gjithashtu konservimin e gjetjeve, vijimin e studimit shkencor, depozitimin e materialeve në Muzeun Arkeologjik të Durrësit pas përfundimit të procesit, si edhe publikimin e rezultateve të gërmimit brenda tre viteve nga përfundimi i tij.

Muaj më vonë, Amfora dokumentoi se reshjet e dendura kishin përmbytur zonën ku ndodhen gjetjet arkeologjike, duke rrezikuar degradimin e një pjese të strukturave të zbuluara. Komiteti Shtetëror për Rindërtimin vendosi që rindërtimi i gjimnazit “Gjergj Kastrioti” përmes fondeve të Bashkimit Evropian të zëvendësohej me një tjetër projekt.

Në qershor të vitit 2025, kryeministri Edi Rama njoftoi se për gjetjet arkeologjike do të angazhohej një studio ndërkombëtare për hartimin e një projekti që do të përcaktonte mënyrën e trajtimit të zbulimeve. Ndërsa më 8 korrik të vitit 2026, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi konceptin e gërmimit arkeologjik dhe propozimin për projektin e godinës së re të shkollës, duke i hapur rrugë avancimit paralel të procedurave për projektin arsimor dhe atë arkeologjik.

Ndërsa projekti për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” ka hyrë në fazën e miratimit të lejes së ndërtimit, strukturat arkeologjike të zbuluara dy vjet më parë mbeten ende në territorin e ish-shkollës, mes bimësisë së zhvilluar, me struktura krejtësisht të ekspozuara dhe të tjera të mbuluara pjesërisht, ndërsa studimi shkencor vijon. Nga përgjigjet e institucioneve nuk bëhet e qartë nëse strukturat arkeologjike do të ruhen në vend, do të integrohen në projektin e shkollës apo do të zhvendosen, ndërsa nuk jepet as një afat se kur mund të nisë ndërtimi i godinës së re. /Amfora