Në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur historia e një nëne, myslimane e devotshme e braktisur nga dy burra dhe me dy vajza të cilat i rrit e vetme.
Rovena Culani po kalon ditët më të vështira të jetës së saj. Nga martesa e parë që ende se ka bërë divorcin ajo ka një vajzë. Pasi u largua së bashku me vajzën nga shtëpia e bashkëshortit Rovena gjeti mbështetjen në komunitetin mysliman dhe sot ajo është me shami dhe është një myslimane e devotshme.
Aty njihet me një mysliman, i cili dhe ai ishte i martuar në Përmet dhe kishte 5 fëmijë. Pasi dashurohet me zotërinë në fjalë, vendosin të bashkëjetojnë, ai Rovena dhe vajza e saj. Ai edhe sot nuk ka bërë divorc me gruan e parë, por sipas riteve të kësaj feje Rovena është nusja e dytë.
Ata kanë sjellë në jetë një vajzë dhe fëmija nuk është e regjistruar në gjendje civile dhe nuk ka as atësinë, pasi sipas ligjeve të vendit tonë nuk lejohen dy martesa edhe pse në fenë myslimane një burri i lejohet deri në 7 gra. Rovena tregon se vajzën e vogël gjithmonë e ka mbajtur të fshehur.
"Ishte përfundim i keq, lidhja e parë. Ish-bashkëshorti im i parë vuri dorë mbi mamin tim, e rrëzoi. E mori vesh vëllai dhe u bë sherr i madh që çoi në ndarjen tonë por jo formalisht. Kur u njoha me burrin e dytë, në u martuam në xhami me dëshmitarë, por nuk bëmë celebrim, pasi ai ishte i martuar dhe nuk i lejohej. Në u bëmë me një vajzë tjetër, por ai nuk i dha atësinë dhe nuk më lejonte ta regjistroja në gjendje civile. Vajza ime nuk ekziston as sot asgjëkundi", tregoi Rovena.
Ata jetonin me qira dhe ndihmoheshin nga komuniteti mysliman, pasi nuk kishin një gjendje të mirë ekonomike. Por më e keqja akoma nuk kishte ardhur.
Prindërit e djalit jetonin në SHBA dhe ai në muajin janar i dërgoi një mesazh Rovenës ku e njoftonte se do ikte shumë larg dhe se nuk do të kishin më punë bashkë me njeri-tjetrin.
Nga janari dhe deri më sot Rovena së bashku me dy vajzat e saj ka ngelur në mëshirë të fatit dhe thotë se e ka të pamundur të regjistroj vajzën e vogël që sot është 4 vjeç e gjysmë pasi vazhdon të jetë në gjendje civile me bashkëshortin e parë. Vajza e vogël nuk shkon as në kopsht dhe nuk figuron akoma si shtetase shqiptare.
“Unë kam duruar edhe dhunën për shkak të vajzave, kam duruar gjithçka. Burri im i dytë e la vajzën pa regjistruar, është faji i tij, sepse nuk më linte as mua”, tha ajo.
Rovena kërkon sot ndihmë që të regjistrojë vajzën e saj, dhe të mund të marrë mbështetjen nga babai pasi nuk mund t’i mbajë e vetme. Ajo thotë se me gjithë ndarjen e pazakontë dhe braktisjen nga ish-bashkëshorti nuk është kundër që vajza e dytë të takohet me babain./BalkanWeb





