Ishte vetë shkrimtarja e njohur shqiptare, Flutura Açka e cila ditën e djeshme lajmëroi se djali i vetëm i saj, humbi betejën me sëmundjen në moshën 18-vjeçare.

Jo pak mesazhe ngushëlluese i kanë mbërritur shkrimtares Açka, nga miq e dashamirës të cilët ndajnë dhimbjen dhe pëshpëritin me vete fjalë ngushëllimit.

Shkrimtarja Yllka Filipi, në përpjekje për të ngushëlluar Fluturën për humbjen e djalit, poston një mesazh që përlot. Ajo i shkruan se “në pranverën e tetëmbëdhjetë, në agun e së dielës së dasmave…biri yt i vetëm, zgjodhi të largohet në qiell”.

MESAZHI I PLOTË

Mu trand shpirti, sa dhimbje dhe lot! Qoftë i Parajsës dhe i prehrit të Zotit biri yt i shtrenjtë dhe i vetëm Flutura! I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Në këtë rrugëtim të shkurtër dhe të trazuar tokësor, i rëndë ky lajm, plumb! Gjeje udhën, o mëmë e pikëlluar, jeto me dritën e shpirtit e tij, jeto për të! Jeto me jehonën e buzëqeshjeve të tij, jeto me tingujt e zërit të tij, jeto me ëndrrën e tij!

Pikërisht në pranverën e tetëmbëdhjetë, në agun e së dielës së dasmave, ende pa shkrepur dielli majave, brigjeve e shkrepave, biri yt i vetëm, zgjodhi të largohet në qiell, në moshën kur gjithë bashkëmoshatarët e tij, shkëputen nga foleja prindërore, drejt aventurës për në zemër të jetës!

Jerini përzgjodhi një tjetër rruzull, atë botën e bardhë si shpirti, pa re e mjegulla, se stuhitë janë vetëm të tokës! Ndonjë zanë ta rrëmbeu, idhnake si ato!!! E pa ashtu të bukur, të njomë, me dritë…Dhe netët e zeza, nuk janë të qiellit, net eterike!!! Përjetësia është atje! Paqja qoftë e jotja Flutur!

Jam e bindur se do ta prekim e ndiejmë Jerinin në shkrimet e tua, për ta dashur pafundësisht e përjetësisht bashkë me ty!