Amadu Latif shpërtheu me dy gola dhe një asist në barazimin e Teutës ndaj Kamzës, duke qenë protagonisti kryesor i takimit. Pas një mungese të gjatë për golin, duket se prania e së dashurës së tij në stadium, e cila ka postuar foto në rrjetet sociale, ka qenë motivimi i duhur për sulmuesin, që të tregojë të gjithë potencialin e tij.

Në përfundim të takimit, afrikani u shfaq i mërzitur, teksa zbuloi se ishte i sigurt që do të shënonte, pasi nga shkallët e stadiumit po e ndiqte e dashura që erdhi nga Franca.

"Realisht nuk jam i lumtur. Për mua nuk ka rëndësi nëse shënoj apo nuk shënoj. Unë jam këtu për të luajtur për Teutën jo për veten time. Unë shënova dy gola, por nuk jam i lumtur sepse ndeshja nuk përfundoi me fitoren e Teutës dhe kjo më mërziti shumë. Mund të jetë një nga ditët më të trishta në karrierë", tha fillimisht Latif

Tani rrezikoni shumë. A besoni te mbijetesa pas këtij barazimi?

Me siguri ne do të mbijetojmë. Unë doja ta bëja më të lehtë qëndrimin në kategori me fitore, por nuk ndodhi, pavarësisht se dhashë maksimumin në fushë. Më kualitetin që ka Teuta, mendoj se do qëndrojmë në elitë.

Nuk e keni gjetur rrjetën në ndeshjet e fundit, por u rikthyet me 2 gola. Mund të themi që tani jeni zhbllokuar dhe nuk do të ndaleni më?

Për mua çdoherë që dal në fushë, nuk ka rëndësi nëse unë shënoj apo jo, për mua ka rëndësi fitorja e gjithë skuadrës. Në fund të fundit, prandaj të gjithë luajmë si skuadër dhe jo si individë. Sigurisht që goli të jep kënaqësi, por nëse unë shënoj 100 gola dhe ne nuk fitojmë, atëherë asnjë gjë nuk ka rëndësi. Sigurisht që shpresoj që tani e tutje të kem vetëm ndeshje si me Kamzën por edhe të fitojmë.

Çfarë nuk shkoi si duhet, ishit në avantazh dhe për pak humbët?

Në momentin që skuadra jonë shënoi dy gola, duhet të them që ne sikur e ulëm pak ritmin. Kjo sigurisht na dëmtoi shumë dhe çoi në ndëshkimin që të gjithë e pamë në fund të ndeshjes. Ne fitojmë së bashku dhe humbim së bashku. Tashmë do të vazhdojmë stërvitjen dhe do mundohemi të korrigjojmë gabimet që të vijmë më fuqishëm në ndeshjen e radhës.

Ishit fantastik, kishit ndonjë arsye të veçantë për motivimin?

Të them të drejtën, fakti që në stadium po më mbështeste e dashura ime ishte një stimul për mua. Më motivoi shumë, por edhe agjenti im më tha fjalë pozitive para ndeshjes dhe unë shpërtheva në fushë. Golat dua t’ia dedikoj të dashurës, e cila erdhi kastile nga Franca për të më ndjekur.