Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Te Teuta shënojnë thuajse të gjithë, madje edhe portieri. Topin në rrjetë nuk e kanë dërguar vetëm lojtarët e formacionit bazë, por edhe ata të stolit. Në këtë edicion “djemtë e detit” kanë shënuar në total 38 gola, aq sa Luftëtari që ndodhet në vend të tretë, pozicion i cili i dërgon në Kupat e Europës gjirokastritët.
Me këtë efikasitet përpara portës, bregdetarët do të ishin një kundërshtar i denjë për Luftëtarin dhe Partizanin, që synojnë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane, por brishtësia dhe pasiguria në repartin e mbrojtjes ka bërë që Teuta të pozicionohet e parafundit në klasifikim, duke rrezikuar shumë qëndrimin në Kategorinë Superiore.
48 gola të pësuar janë shumë për një skuadër si Teuta, aq më tepër kur shikon statistikat që kanë kundërshtarët direkt, si Vllaznia dhe Kamza me 37 dhe 39 gola të pësuar në 31 javë kampionat.
Pra, një nga arsyet më të mëdha pse bregdetarët ndodhen në këto pozita është reparti difensiv, fakt të cilin nuk e kanë mohuar as trajnerët që e kanë drejtuar skuadrën që nga starti i sezonit, duke filluar me Maganin për të vazhduar me Nicën dhe aktualisht me Begejan.
Edhe pse nën drejtimin e 44-vjeçarit durrsakët treguan për disa ndeshje radhazi stabilitet, duke grumbulluar 11 pikë në 5 ndeshje, ndërsa në tre prej tyre nuk morën asnjë gol. Gjithçka, mori një rrjedh tjetër, pas shpërfytyrimit në Vlorë, edhe së fundi në "Niko Dovana" ndaj Kamzës. Teuta zhvilloi një tjetër ndeshje me dy tablo, ku nga 2-0 e pa vetën në disavantazh 2-3, duke barazuar vetëm në sekondat e fundit.





