Policia ka dyshime të forta se 6-vjeçari është dhunuar seksualisht nga Dashamir Toçi 34 vjeçar nga Thumana e Krujës. Ekspertiza mjeko –ligjore nuk ka dalë ende, ndërsa gjykata e Krujës i dha masën e arrestit me burg 34-vjeçarit Toçi i cili ka qenë edhe më herët i dënuar.

Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bënë me dije se nga marrja në pyetje e familjarëve të 34-vjeçarit, dyshohet se vuan nga sëmundje të shëndetit mendor dhe vite më parë është kuruar në një spital psikiatrik.

34-vjeçari u arrestua nga policia e Krujës menjëherë sapo nëna e 6-vjeçarit denoncoi në polici rastin e dhunimit të fëmijës.

Burimet policore pohojnë se do të pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të shuar çdo dyshim të nënës së 6-vjeçarit në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 28 prill.

Burimet thonë se edhe prokuroria pritet të kërkojë ekzaminim të shëndetit mendor për Dashamir Toçin.

Sipas burimeve policore nëse nga ekspertiza rezulton se 34-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturin, ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.