Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45-ditor për dy personat që dhunuan kamerierin 18-vjeçar në Mal të Robit, Golem.

Njëri nga pronarët e hotelit Florian Habilaj dhe shoku i tij E. Dragoti, të arrestuar nga policia e Kavajës akuzohen nga prokuroria për plagosje të rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq në orën 12:30 pritet të zhvillohet masa e sigurisë për Melson Nelën, xhaxhain e kamerierit, që u kap me një kallashnikov dhe 3 karikatorë në automjet. Sipas policisë, ai po shkonte të hakmerrej ndaj dhunës së ushtruar mbi nipin e tij 18-vjeçar, i cili përfundoi në spital nga dhuna e dy vëllezërve Habilaj, bashkëpronarë të hotelit.

Ngjarja nisi në ambientet e hotelit “Flar”,ku18-vjeçari, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit, dyshohet se u dhunua nga djali i pronarit të hotelit dhe tre persona të tjerë, për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer.

I riu ka përfunduar në Spitalin e Kavajës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në momentin që policia po kryente veprimet hetimore në hotel, ka marrë informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit ishte nisur drejt vendit i armatosur.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e 47-vjeçarit në afërsi të hotelit. Ndërkohë u vunë në pranga edhe djali i pronarit të hotelit dhe një shok i tij, dhe u shpall në kërkim djali tjetër i pronarit, të cilët kishin dhunuar 18-vjeçarin.

Po nga veprimet hetimore rezultoi se vendngjarja ishte pastruar, DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.