Në një nga sallat e trajnimeve të Autoritetit Portual ka nisur sot Testimi periodik i punonjësve elektrikë, elektrovinçierë dhe saldatorë, si dhe stafit tekniko – inxhinierik, që punon me pajisje me rrymë elektrike në APD.
Për organizimin e Trajnimit dhe Testimit po kujdeset Drejtoria e Mjedisit, Sigurimit Teknik, Mbrojtjes së Shëndetit dhe Emergjencave në APD, e cila bën me dije se, qëllimi i këtij testimi është që të rikonfirmohen njohuritë e punonjësve për aksesin në paisjet apo impjantet elektrike, që ata shfrytëzojnë gjatë punës së tyre.
Testimi do të vijojë në datat 19 dhe 20 prill 2018. 50 punonjës elektrovinçierë në Terminalin e mallrave gjenerale (TMGJ), si pjesë e Drejtorisë Operacionale dhe 9 elektriçistë dhe saldatorë të Sektorit të SMT-së në Drejtorinë Teknike kanë filluar sot ditën e parë të Testimit.
Sipas organizatorëve, specialistët që punojnë dhe janë të ekspozuar ndaj rrymave elektrike, bazuar në legjislacionin përkatës, duhet të testohen periodikisht një herë në vit, me qëllim që të pajisen edhe me “Dëshmi aftësie”.