Prof. Skerdi Prifti është ndarë papritur nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë përmes një postimi në Facebook, ku shpreh ngushëllimet për familjen dhe vlerëson kontributin e tij në mjekësi, pedagogji dhe kërkimin shkencor.

Prof. Prifti ishte mjek, pedagog dhe studiues, me një karrierë të gjatë në fushën e gastrohepatologjisë dhe një angazhim të veçantë në endoskopinë diagnostike dhe terapeutike.

Ai ka drejtuar Njësinë e Endoskopisë pranë Shërbimit të Gastrohepatologjisë në QSUT dhe ka shërbyer si drejtues i Departamentit të Sëmundjeve të Brendshme në Fakultetin e Mjekësisë.

Mesazhi i plotë:

IN MEMORIAM

Prof. Skerdi Prifti

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes së papritur nga jeta të Prof. Skerdi Priftit, një prej figurave të shquara të gastrohepatologjisë shqiptare, pedagog i respektuar, mjek, shkencëtar dhe koleg i çmuar.

Largimi i tij i parakohshëm lë një boshllëk të madh në familjen e tij, në Fakultetin e Mjekësisë, në Shërbimin e Gastrohepatologjisë dhe në të gjithë komunitetin mjekësor shqiptar.
Prof. Skerdi Prifti i përkiste atij brezi mjekësh dhe pedagogësh që formimin profesional e shndërruan në një kërkim të vazhdueshëm të dijes dhe dijen e fituar e vunë në shërbim të pacientëve, studentëve dhe kolegëve.

I diplomuar në Mjekësi në vitin 1986 dhe me gradën shkencore PhD të fituar në vitin 1995, ai ndërtoi një karrierë të spikatur në gastrohepatologji, me një vëmendje të veçantë ndaj endoskopisë diagnostike dhe terapeutike.

Formimi i tij profesional u pasurua në qendra të rëndësishme ndërkombëtare. Si përfitues i bursave Fulbright, ai u formua në Georgetown University, Washington D.C., në fushën e endoskopisë diagnostike dhe terapeutike. Përvoja e tij amerikane, veçanërisht në endoskopinë e avancuar dhe ERCP, ishte pjesë e një formimi që Prof. Prifti e solli më pas në praktikën klinike dhe akademike shqiptare.
Dimensioni ndërkombëtar i veprimtarisë së tij u shpreh edhe në bashkëpunime shkencore me institucione në Danimarkë, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në kërkimet mbi Helicobacter pylori dhe patologjitë gastrointestinale.

Përtej aktivitetit shkencor, Prof. Prifti mbajti përgjegjësi të rëndësishme profesionale dhe akademike. Ai drejtoi Njësinë e Endoskopisë pranë Shërbimit të Gastrohepatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe shërbeu si President i Shoqatës Shqiptare të Gastrohepatologjisë. Prof. Prifti ishte drejtues i Departamentit të Sëmundjeve të Brendshme të Fakultetit të Mjekësisë për dy mandate, të cilin e drejtoi me mjaft profesionalizëm e përkushtim.

Prof. Prifti do të kujtohet si pedagogu që për shumë vite u përcolli dije brezave të studentëve dhe mjekëve të rinj, si klinicisti që bashkonte dijen shkencore me përvojën pranë të sëmurit, si kolegu me të cilin ndamë diskutimet profesionale, sfidat e mjekësisë universitare dhe një pjesë të rëndësishme të jetës sonë akademike.

Sot, Fakulteti i Mjekësisë humbet një pedagog të shquar, gastrohepatologjia shqiptare humbet një prej përfaqësuesve të saj të spikatur, ndërsa ne humbasim një koleg dhe mik.

Familjes së tij dhe njerëzve të tij më të dashur u shprehim ngushëllimet tona më të thella!

I paharruar qoftë kujtimi i Prof. Skerdit!

U prehshi në paqe i dashur Prof. Skerdi!