Në një intervistë të gjatë televizive, presidenti serb Aleksander Vuçic ka folur dhe mbi punësimin në Serbi, por ajo çfarë duket e çuditshme është se ai thotë se gjithnjë e më shumë po punësohen shqiptarë, bën me dije B92. Vendi po përballet tashmë me mungesë të forcës së punës “dhe pse shumë nuk më besojnë”, thotë Vuçic.
Ai shton se gjatë vizitës në një vend-ndërtim në Beograd me kryebashkiakun Sinisa Mali, ai vuri re se punëtorët “nuk flisnin serbisht”. Presidenti tha se ishin shqiptarë nga Maqedonia, “ndërsa tani në vendin e tyre janë punëtorë nga Republika Serbe” (entiteti serb në Bosnje Hercegovinë).
Vuçiç tha se ka shqiptarë të Maqedonisë që punojnë dhe në kantiere të tjera në Serbi si rrugë apo tunele, sepse sipas Vuçiç “Serbia nuk ka punëtorë mjaftueshëm”. Në të njëjtën intervistë Vuçiç tha se borxhi publik i Serbisë do të jetë poshtë 52% të GDP-së, më i ulëti në rajon, teksa buxheti i shtetit është rritur për vitin e tretë radhazi.