Kur ka mbetur më tepër se një muaj nga data finale për të emëruar trajnerin e ri të Italisë, duket se rrethi i kandidatëve po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Alesandro Costacurta ka njoftuar se do të jetë 20 Maji data kur do të zyrtarizohet trajneri i ri i axurrëve, të cilit do t’i besohet projekti i rinovimit dhe ringritjes së kombëtares.

Kështu pistat Conte, Allegri dhe Ancelotti kanë rënë, pasi të tre këta trajnerë kanë ende treg të rëndësishëm në nivel klubesh dhe nuk kanë ndërmend t’i përgjigjen pozitivisht ofertës së kombëtares. Së fundi është bërë edhe një takim me Fabio Capellon, por duket se edhe këtë herë rezultatet nuk kanë qenë ato të pritshmet.

Për më tepër, mosha e Capellos ka bërë që edhe vetë drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit, të mos jenë shumë të bindur për t’i besuar.Ndaj sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, emri që qëndron në pole është ai i trajnerit të Zenith St. Peterburg, Roberto Mancini.

Ish trajneri i Interit nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, ndërsa ka treguar edhe gatishmëri për të lënë rusët pas vetëm një sezoni. Së fundi, nëse pista Mancini do të dështonte, gjë që është thuajse e pamundur të ndodhë, atëherë plani B i Federatës është të negociohet me Claudio Ranierin ose t’i besohet Di Biagios.