Policia ka arrestuar në flagrancë dy persona që po shpërndanin kanabis në një lokal në Shkodër. Në pranga kanë rënë shtetasit, Hidisen Dervishi, 24 vjeç dhe Rei Besho, 19 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Ata u arrestuan në një lokal me lojra kompjuterike në lagjen 'Vasil Shanto' pasditen e së premtes pas një denoncimi të bërë në polici nga një qytetar anonim.
Policia bën me dije se nga kontrolli i ushtruar në këtë lokal u gjetën të fshehura në një çantë tre qese plasmasi lëndë narkotike Cannabis Sativa me peshë 8 gram, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale të “Prodhimit e shitjes së narkotikëve” e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.





