Një sherr mes dy drejtues mjetesh mësohet të ketë ndodhur pak minuta më parë, në afërsi të Shëtitores “Taulantia” në Durrës.
Mbrëmjen e sotme, në dy rrugët që të çojnë drejt shëtitores “Taulantia” është regjistruar trafik i rënduar, me rradhë të gjata automjetesh, të bllokuara për minuta të tëra në të njëjtin vend.
Mësohet se edhe grindja e dy drejtuesve të mjeteve ka ndodhur pikërisht prej trafikut të rënduar, pasi të dy shoferët kanë pretenduar se e kishin ata të drejtën e kalimit.
Dëshmitarë në vendngjarje raportojnë për DurrësLajm se madje në konflikt e sipër, pasi janë përballur fizikisht, kanë nxjerrë edhe armët që kishin me vete.
Menjëherë është njoftuar policia, që ka dërguar në vendngjarje dy furgonë policie dhe një autoambulancë.
Mësohet se dy drejtuesit e mjeteve janë shoqëruar në komisariat për t’iu bërë kontrolli fizik dhe kontrolli i mjeteve.
Punimet që po kryhen në dy rrugët kryesore “Aleksandër Goga” dhe “Egnatia” si dhe punimet e lënë përgjysëm në sheshin “Veliera” kanë shkaktuar një situatë kaotike në trafik në orët e pasdites dhe mbrëmjes, kur të gjithë qytetarët dynden drejt shëtitores për të konsumuar një kafe në lokalet buzë detit.





