Samiti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet më 17 maj në Sofje, sipas “Radios Europa e Lirë” rrezikon të shndërrohet në një dështim të madh për bllokun, derisa shtetet anëtare diskutojnë rreth faktit nëse takimi duhet të rezultojë me një deklaratë të përbashkët, apo diçka më të vogël.

Drafti i parë i të ashtuquajturës “Deklarata e Samitit të Sofjes”, i krijuar nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe që është parë nga “Radio Europa e Lirë”, ka qenë temë e diskutimit për ambasadorët europianë fillimisht në fund të muajit mars.

Ndonëse deri më tani, në draftin prej 13 paragrafesh ka shumë pak përmbajtje politike, është e qartë se pritjet nuk do të jenë të mëdha, kur udhëheqësit europianë të takohen me homologët e tyre nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, në takimin e tyre në kryeqytetin bullgar, pasi kanë kaluar më shumë se 15 vite prej herës së fundit kur është mbajtur një samit i tillë.

Njëra prej pikave kryesore është prania e Kosovës në tavolinë, e cila përbën temë diskutimi për 5 shtete të BE-së, siç janë Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, të cilat nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Dokumenti iu referohet vendeve të BE-së si shtete, ndërsa 6 të tjera si “partnere të Ballkanit Perëndimor”.

Sipas burimeve, Spanja, ashtu sikurse Qiproja, Greqia dhe Rumania nuk dëshirojnë që dokumentin ta cilësojnë si deklaratë dhe do të preferonin ta quanin “përfundimet e Presidencës bullgare”, ose thjesht një deklaratë e nënshkruar nga shtetet e BE-së.

Disa nga mosnjohësit janë po ashtu të pakënaqur me gjuhën e BE-së për zgjerim në këtë draft, në të cilin përmendet se, “BE-ja konfirmon mbështetjen e qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Rruga europiane mbetet e bazuar në kritere dhe merita individuale”, duke pretenduar se takimi i muajit maj nuk do të jetë për zgjerimin e BE-së.

Shtetet e tjera, që kanë më shumë prirje për atë që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së, sikurse Austria, Kroacia dhe Italia janë duke shtyrë përpara gjuhën ambicioze për të ruajtur deklaratat e Samitit të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Selanik, në vitin 2013, ku është thënë se të gjitha shtetet në rajon do të bëhen një ditë anëtare të BE-së.

Një aneks i deklaratës është i bazuar në propozimin konkret për të rritur lidhjet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Në mesin e sugjerimeve përmendet edhe kompletimi i rrjetit rajonal të energjisë elektrike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, krijimi i strategjisë për hekurudhat, lançimi i një agjende dixhitale për Ballkanin Perëndimor, që përfshin uljen e shpenzimeve të “roaming”-ut dhe dyfishimin e financimit të programit “Erasmus+” për shkëmbimin e studentëve.

Në draft është përmendur mbështetja për projektin që lidh zonat bregdetare të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe projektin “Autostrada e Paqes” që lidh Nishin me Prishtinën. /TCH