Ka ndërruar jetë në spitalin e Pizës pas tre javësh në gjendje kome emigranti shqiptar Astrit Gërdeci 45 vjeç, i martuar dhe me fëmijë.
Vdekja ka ardhur nga plagët e rënda të marra në kokë pas një grindje me kolegun e punës shqiptarin Zihni Cullhaj 24 vjeç. Astrit Gërdeci pas sulmit të dhunshëm ka pësuar një hemoragji të brendshme e ka hyrë në gjendje kome. Ngjarja ka ndodhur ditën e 8 marsit në komunën e Bientinas, në provincën e Pizës, në një punishte druri ku ishin punësuar të dy shqiptarët.
Pas një grindje për motive të dobëta, Astrit Gërdeci është goditur dhunshëm në fytyrë dhe kokë nga 24-vjeçari shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur në momentin e ndërrimit të turnit dhe nuk ka qënë i pranishëm asnjë nga kolegët e tjerë të punës. Zihni Cullhaj, autori i këtij sulmi të dhunshëm, pritet të akuzohet për vrasje të qëllimshme por jo e paramenduar. Prokuroria ka kërkuar kryerjen e autopsisë së viktimës për ngritjen e plotë të akt akuzës.





