Partia Demokratike sot gjatë orëve të pasdites, ngriti pretendimin se policia ka dhunuar dy të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Ata u shoqëruan në komisariatin numër 2, dhe sipas selisë blu, janë dhunuar.

Por në një reagim zyrtar për mediat, Policia e Tiranës ka sqaruar se janë shoqëruar 5 persona në lidhje me protestën që u mbajt sot teksa gjykata merrte vendimin për masën e sigurisë për 23 të arrestuarit për tubimin kundër taksës së Rrugës së Kombit. Policia thotë se ata janë shoqëruar për disa minuta në komisariat, por mohon që të jenë dhunuar na efektivët.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Policisë të Komisariatit nr. 2 shoqëruan për disa minuta në ambientet e këtij Komisariati dhe proceduan në gjendje të lirë për veprën penale "Tubim i paligjshëm", "Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit" dhe "Prishje të rendit dhe qetësisë publike", shtetasit:

– Y.Sh., 34 vjeç;

– S.P., 21 vjeç;

– A.Z., 28 vjeç;

– G.Gj., 30 vjeç;

– M.N., 30 vjeç.

Këta shtetas u shoqëruan sipas procedurave standarde dhe Rregullores së Policisë së Shtetit dhe në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë ndaj tyre.

Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.