Dalin pamje të reja nga përplasja e deputetëve të Partisë Demokratike dhe policisë në ambientet e Gjykatës së Tiranës.

Në pamjet filmike të publikuara nga “BalkanWeb”, duket deputeti i PD-së Flamur Noka, i cili pasi godet, i vë dorën në fyt një efektivi policie që përpiqet të ndalojë hyrjen e tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar të futen në sallën e gjyqit ku do jepet masa për 32 protestuesit e ndaluar të Rrugës së Kombit.

Ata kanë hasur përballjen me policinë që ka tentuar t’i nxjerrë jashtë duke u konfrontuar edhe fizikisht dhe duke thyer edhe derën.

Deputeti i PD-së Edmond Spaho, ka thënë për gazetarët se është dhunuar nga policia, duke treguar dhe gjak në këmishën e fytyrën tij.