Deputetja e Durrësit, Fatbardha Kadiu ka vijuar të denoncojë ata që ajo i quan ortakët ekonomikë të Edi Ramës, e të cilëve kryeministri po u jep miliona me PPP.

“400 milionë euro të ardhura do të përfitojnë Kastrati dhe Salillari nga koncesioni i Rrugës së Kombit, nga të cilat 260 milionë euro do jenë fitim dhe pjesa më e madhe do iu merren direkt qytetarëve”, shkruan Kadiu në Facebook.

Sipas saj, garancia e kryeministrit për të qëndruar në pushtet është pikërisht aleanca milionëshe me ortakët e tij.

“Pushteti ekonomik është garancia e Ramës për të mbajtur pushtetin politik”,- e mbyll postimin e saj Kadiu.

Deputetja demokrate e ka shoqëruar postimin e saj me tabelën e parashikimit të të ardhurave nga taksa e përdorimit të Rrugës së Kombit, e specifikuar vit pas viti edhe në kontratën koncesionare mes shtetit dhe kompanive private.