Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ripërsëritur apelin për mosbindje civile. Në një komunikim me mediat, Basha u bëri thirrje qytetarëve të mos paguajnë taksa dhe tarifa, pasi sipas tij këto para nuk shkojnë në shërbim të tyre, por në funksion të pasurimit të oligarkëve.

Basha tha se përmes taksës së qarkullimit shteti merr miliona euro por këto para nuk përdoren për rrugët dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

“Mashtrimet e Ramës janë shenjat e dëshpërimit dhe panikut që e ka kapur. Rama i grabit dyfish shqiptarët, dhe pastaj u bie dyfish me kërbaç. Reagimi i shqiptarëve në Kukës dhe në mbarë vendin është për situatën në të cilën ndodhen. Merr miliona euro nga taksa e qarkullimit, por nuk i përdor për rrugët. Dhe sot vendos një tjetër taksë për të kaluar rrugën. Ky është taksim i dyfishtë i shqiptarëve. Ata banorë në Kukës u ngritën për bukën e gojës, pasi e kanë të pamundur që të paguajnë taksë për të kaluar në Rrugën e Kombit. E bën këtë për të mbushur xhepat e oligarkëve. Paratë e shqiptarëve nuk u shërbejnë shqiptarëve, por i përdor për inceneratorët e Ahmetajt.

Së dyti, ky është një reagim ndaj padrejtësisë së dyfishtë. Një javë i la kohë Rama me prokurorinë e tij Arbër Çekajt të arratisejm edhe pse kishte sjellë një sasi të madhe kokainë. Tahiri iu dha makinën e tij trafikantëve. Të lirë janë sot Habilajt, Balili, dhe kriminelë të tjerë, ndërsa ata që protestuan për të drejtën e tyre u arrestuan. Qytetarët që protestojnë kundër padrejtësisë, terrorizohen, që të mos reagojnë më. Ndaj jemi për mosbindje qytetare. Kjo është edhe një thirrje ndaj sipërmarrjes së vogël që mos ta paguajnë tarifat, pasi ato para nuk shkojnë tek qytetarët”, tha kryedemokrati Basha.