Policia në Athinë ka goditur një grup të shpërndarjes së kokainës. Në pranga kanë përfunduar 5 shqiptarë që vepronin në zonat e Neas, Smirnit, Kalitheas dhe Larisas.

Shqiptarët e arrestuar janë të moshës 31-35 vjeç, ndërsa emrat e tyre nuk bëhen ende me dije. Gjithashtu në kërkim janë shpallur edhe dy shqiptarë të tjerë. Në mesin e të ndaluarve është edhe një femër.

Nga ky operacion u sekuestruan 436 gramë kokainë, 300 gram përzierës, 2000 euro, 3 peshore, 2 pistoleta, 2 makina, 14 celulare.

Udhëheqësi i bandës ishte një 34-vjeçar, përgjegjës për gjetjen e sasive të kokainës dhe drejtonte anëtarët e tjerë në mënyrë që droga të ruhej në vende të përshtatshme.