Ashtu siç paralajmëroi edhe policia dje, Prokuroria e Kukësit ka lëshuar 24 urdhër arreste për protestuesit, të cilët u përleshën me forcat e rendit dhe i vunë flakën sporteleve të biletave që do të mbledhin taksat për Rrugën e Kombit.

Në mesin e të arrestuarve, përgjithësisht janë banorët të Kukësit dhe rrethinave pranë dhe se nuk ka asnjë shtetas kosovar.

Por pas ankesave të familjarëve të personave të shoqëruar nga policia, 4 komisionerë të Avokatit të Popullit kanë shkuar në Kukës për të monitoruar nga afër situatën. Po ashtu, në komisariat ndodhen edhe deputetë të PD dhe LSI, të cilët po flasin me drejtuesit e kësaj strukture.

Ndërkohë, para komisariatit të Policisë së Kukësit janë mbledhur dhjetra qytetarë, të cilët kërkojnë lirimin e protestuesve të shoqëruar. Ata kanë kërkuar lirimin e të shoqëruarve, ndërsa theksojnë se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi aty deri sa të lirohen qytetarët.

Nga protesta e djeshme disa qytetarë mbetën të lënduar, si dhe 14 punonjës të policisë. Mes të plagosurve, 12 punonjës ishin të FNSH, një oficer i qarkullimit, si edhe drejtori i policisë së Kukësit Perlat Vatoci. Ky i fundit u godit me gurë dhe mjete të forta. Ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.