Tre shoferë janë vënë në pranga nga policia rrugore e Durrësit, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.
Rasti më i rëndë është ai i pasdites së të mërkurës, kur 33-vjeçari A.M., që po lëvizte me biçikletë, humbi jetën pasi u godit në lagjen nr.17 nga një automjet tip Volksvagen, që drejtohej nga shtetasi D.K. 27 vjeç.

Pas sqarimit të rrethanave të aksidentit, policia ka prangosur 27-vjeçarin.
Ndërkohë dy aksidente të tjera janë regjistruar në aksin Manëz-Sukth dhe në rrugën dytësore Xhafzotaj-Arapaj. Për pasojë kanë mbetur të plagosur një 43-vjeçare, shtetasja V.K. dhe e mitura 13 vjeçe P.S.
Të dyja të aksidentuarat ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka arrestuar në flagrancë 26-vjeçarin B.L. nga Sukthi, që drejtonte një mjet tip “BMW” dhe shtetasin K.G. 46 vjeç, nga Xhafzotaj, që udhëtonte me një mjet tip “Benz”. Mësohet se drejtuesi i “Benz”-t po e drejtonte mjetin në gjendje të dehur, gjë që e rëndon situatën e tij.





