Jo vetëm që janë të paligjshëm por shpesh herë bëhen edhe burim aksidenti. Bëhet fjalë për furgonat e pasagjerëve që ndalojnë ku të munden në autostradë edhe pse nuk ka të përcaktuar stacion qëndrimi e ndalimi për pasagjerët.
Rreth orës 11:30 të paradites së sotme, tre vajza 19-vjeçare mbetën të lënduara, dy fizikisht dhe një me traumë psikologjike ndërsa ishin dëshmitare okulare të aksidentit ku u përfshinë në autostradën Durrës- Tiranë pranë Sukthit.
Të aksidentuarat kanë bërë me dije se, prisnin autobusin por drejtuesit e furgonëve bënin gara se kush do të merrte i pari pasagjerët që qëndronin në stacionin e autobusit për tu nisur.
Ndërsa furgonat kanë ndaluar duke bindur pasagjerët, mirëpo një kamion i cili nuk e ka menduar më herërt këtë gjë, ka përplasur nga pas njërin prej furgonave.
Si rezultat i përplasjes nga kamioni tip "Scania" me targa AA 181 AS, furgoni i pasagjerëve me AA 387 FF është përplasur me mjetin tip "Benz" furgon me targa AA 337 SB, me drejtues shtetasin A.Xh.
Të gjithë pasagjerët e furgonave që udhëtonin, kanë përjetuar momente tmerri e paniku pasi njëri prej furgonëve u mbajt vetëm nga kufizimi metalik i anësore së autostradës, pas përplasjes së fuqishme me furgonin dhe kamionin.
Policia ka shoqëruar drejtuesit e mjeteve për sqarimin e rrethanave të aksidentit, por për aq kohë sa drejtuesit e furgonave bëjnë gara shpejtësie e ndalojnë vend e pa vend në autostradë, qytetarët nuk janë asnjëherë të sigurtë se do të përfundojnë në destinacionin për ku janë nisur.
K.H.





