Taksa për Rrugën e Kombit ka ngjallur mjaft diskutime gjatë seancës së sotme parlamentare. Nga foltorja e Kuvendit Rama teksa nënvizoi faktin se kjo nuk është një taksë, por një tarifë, pohoi se ky hap ishte i domosdoshëm për mirëmbajtjen e aksit në fjalë.
Gjithashtu ai risolli në vëmendje edhe një deklaratë që kishte bërë Berisha në vitin 2010, kohë kur ishte kryeministër, kur ishte hedhur edhe ideja për vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.
"Ky është një debat që nuk ia vlen. Ka një anë që ecën në rrugën e arsyet, dhe një anë që nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Ndërkohë që ia vlen patjetër shpjegim, pasi kjo është eksperiencë e parë për vendit tonë që është i vetmi vend në Europë dhe rajon që nuk ka pasur asnjëherë një eksperiencë të tillë. Ndaj ia vlen shpjegimi. Vendimmarrja për të vendosur jo taksë, por tarifë për përdoruesit e rrugës së Kombit, e ka zanafillën në vitin 2010, pasi në këtë vit kryeministri i kohës, (Sali Berisha) ka marrë iniciativën për të hapur këtë proces. Dhe ka thënë publikisht si rrallë në karrierën e tij atë që sot mohon; e ndërtuam, por për ta mirëmbajtur nuk e mirëmbajmë dot. Kjo nuk është fjalë kot. Pamundësia ka sjellë degradime. Jemi dëshmitar të gjithë së bashku se si ekranet janë mbushur me faqe të degradimit të atij aksi; rrëshqiti këtu, ra atje. Historiku është fare i qartë."





