Policia italiane ka arrestuar sot 4 persona në kuadër të një operacioni anti-drogë në Firenze. Në mesin e tyre është edhe shqiptari i identifikuar si Pavlin Delia. Mediat italiane shkruajnë se hetimet për këtë grup nisën që në dhjetor të vitit 2016, duke kryer qindra përgjime telefonike dhe mjedisore.

Kështu në operacionin “Affari di famiglia” (Çështje familjare) të policisë në Fierence, veç shqiptarit u arrestuan dy vëllezërit Giovanni e Renato Sutera, pronarë të pastiçerisë Curtatone si dhe spanjolli Ruben Crespo Guerra.

Më i rrezikshmi është Giovanni Sutera, siçilian, 60 vjeç, i dënuar me burg përjetë, akuzuar për vrasjen e dy personave, një argjendari fiorentin dhe 17-vjeçares Graziella Campagna, e vrarë nga mafia në Villafranca Tirrena (Messina) në 1985. Ai ishte liruar me kusht, për sjellje të mirë.

Për prokurorinë, Giovanni Sutera dhe vëllai i tij Renato, 56 vjeç edhe ai i arrestuar këtë mëngjes nga karabinierët, ishin organizatorë dhe financues të organizatës kriminale që kultivonte marijuanë në Spanjë për ta marrë dhe shitur më pas në Itali. Në burg ka përfunduar edhe Ruben Crespo Guerra, 43 vjeç, një i dënuar spanjoll nga Valladolid me një dosje penale për vrasje e vjedhje dhe trafik droge.

Karabinierët gjithashtu po kryejnë kërkime mbi 11 të dyshuar. Nga hetimet e policisë rezultoi se droga pasi vinte nga Spanja në Itali, përfundonte në duart e shqiptarit Pavlin Delia, 38 vjeç i cili merrej me magazinimin dhe shpërndarjen.

Por 38-vjeçari Pavlin Delia nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Në vitin 2015 ai ishte pjesë e një hetimi, për mashtrim. Sipas organit të akuzës, Pavlin Delia i cili hiqej si punonjës i INTERPOL në bashkëpunim me Irme Musaraj i kanë marrë nëpërmjet mashtrimit një sasi lekësh mjekut Emil Kalimeri.

Po këto akuza nuk u vërtetuan nga Gjykata e Apelit dhe mjeku nga ana tjetër u shpall fajtor për përndjekjen e Irme Musarajt. Po ashtu disa muaj më vonë Pavlin Delia do të arrestohej pasi shkaktoi një aksident.