Pas kapjes në Itali të një gomoneje me 500 kg marijuanë që vinte nga Shqipëria dhe arrestimit të dy skafistëve, në pranga janë vënë edhe dy punonjës në Stacionin e Policisë Kufitare të Vlorës, pasi akuzohen për "shpërdorim detyre".
Policia bën me dije se përpos dy trafikantëve shqiptarë janë arrestuar edhe dy punonjës policie të Policisë Kufitare në “Tri Port” nuk kanë kryer praktikën e rregullt ligjore për regjistrimin e mjetit lundrues tip gomone, i cili u kap në Brindizi me lëndë narkotike.
Rezulton se mjeti lundrues, i cili figuron i regjistruar me dokumentacion në Stacionin Kufitar, ka hyrë në brendësi të Pikës “Tri Port” dhe pa u regjistruar ka dalë më pas në det.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), Vlorë, arrestoi 2 punonjës të Stacionit të Policisë Kufitare në ‘Tri Port’, N/Komisar Bledar Kuçi me detyrë përgjegjës turni dhe Inspektor Idlir Ajazaj, me detyrë ndihmës kontrollor.
Ndalimi i tyre është bërë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me palën Italiane.





