Një "Benz" ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në Shkodër, në lagjen “Perash”, si pasojë e një sasie eksplozivi që i është vendosur mjetit.
Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se lënda plasëse është vendosur në mjetin e shtetasit Admir Lishi. Ky i fundit zotëron mjetin tip Benz me targë AA 655 MK, mjet tek i cili në pjesën e prapme u vendos lënda plasëse duke i krijuar dëme. Nga sa mësohet Admir Lishi ka një detyrë të rëndësishme në policinë vendore të Shkodrës.
Ai është shefi ekonomik tek drejtoria e kufirit dhe është efektiv mbështetës në prapavijë. Ende nuk janë të qarta arsyet e vendosjes së lëndës plasëse. Pista e parë dyshohet për shkak të detyrës.
Mendohet se mund të ketë qenë një sinjal ndaj 40 vjeçarit për shkak se sasia e vendosur e lëndës plasëse ka qenë aq e vogël sa nuk i ka shkaktuar dëme të mëdha. Megjithatë nuk përjashtohen edhe ndonjë pistë tjetër. Grupi hetimor ishte në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur të plotë atë që ka ndodhur.





