Gjykata e Apelit në Durrës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Durrësit për shtetasen Olesia Duka.

Teksa Gjykata e Durrësit ka vendosur verifikimin e masës së sigurisë, Olesia Duka e përfaqësuar nga avokatët Arben Llangozi dhe Brikena Duka, ka bërë ankimim duke kërkuar ndryshim të masës së sigurisë Arrest me burg.

Pala mbrojtëse tha në seancë:

“Gjykata i ka dhënë masën më të rëndë. Nga konstatimi që ne kemi bërë, kemi vetëm denoncimin e shtetasit Idlir Hoxha. Konflikti është civil dhe jo penal. Kemi detyrim civil dhe jo penal. Gjykata penale nuk ka juridiksion sepse shtetasja Olesia Duka nuk ka konflikt penal. Olesia Duka nuk ka rrezik largimi. Nuk ka arsye dyshimi që të largohet”.

Më tej, avokatët theksuan se Olesia Duka është mjeke stomatologe me dy fakultete e nuk paraqet rrezikshmëri, duke i kërkuar gjykatës ndryshim mase: arrest shtëpie dhe nën mbikëqyrje.

“Nuk ka kushte të veçanta dhe kërkojmë ndryshim mase e vendosjen e një mase më të butë. Prokurori nuk ka bërë asnjë verifikim konkret. Prokurori duhet të bënte verifikim të shumave me bilancet e shoqërive tregtare. Nuk është bërë asnjë verifikim për vlerat financiare. Vëmë në dispozicion bilancet e shoqërive në orgjinal dhe nuk kanë ekzistuar kurrë ato vlera monetare. Klientja ka marrëdhënie kontraktuale me shoqërirë tregtare”.

Prokurori Ferdinand Elezi tha se në vetvete u pretendua mungesa e dyshimit të arsyetuar se nuk është autore e mashtrimit me shuma të mëdha financiare.

“Ka dyshime dhe prova se është një numër i konsiderueshëm personash të mashtruar nga ana e të pandehurës”.

Sipas prokurorit, shtetasi Ilir Doci është mashtruar me 840 mijë euro, dhe Besnik Doci 35 mijë euro.

Organi i akuzës thekson se ka rrezikshmëri shumë të madhe nga kjo e dyshuar teksa dha arsyet përse kërkoi masën e sigurisë arrest me burg.

“Për shkak se jemi para rrezikut të mbledhjes e verifikimit të provave të administruara. Masa e përshtashme është: arrest me burg. Kërkojmë që gjykata të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë”.

Ndërkohë gjykatësi Besim Treshnjeva ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Durrësit, arrest me burg!