Policia italiane e Piacenzas ka çuar prapa hekurave një grup të rrezikshëm grabitësish, të cilët drejtoheshin nga një shqiptar i njohur si “Drakula”. Operacioni policor ka marrë emrin "Ghost" (Fantazma), nisur nga mënyra perfekte me të cilën operonin hajdutët pjesë e bandës, duke mos lënë gjurmë dhe duke u larguar në mënyrë të sinkronizuar.
8 persona janë prangosur, ndër të cilët 5 shqiptarë të moshës 27-41 vjeç, një rumun dhe dy italianë. Dy shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim. Media italiane sqaron se kapo ishte një shqiptar 33-vjeçar, i cili njihej nga të gjithë si “Drakula”, raportojnë mediet italiane.
Shkelzen Avram, i njohur ndryshe si “Drakula” ishte organizuesi i grabitjeve, të cilat bëheshin natën nëpër banesat e Piacenzës, por edhe në Bergamo e Brescia të Italisë. Të paktën 15 vjedhje janë dokumentuar nga hetuesit, si të kryera nga dora e “Drakula-s” dhe bandës së tij.
Banda ishte profesioniste dhe vinte në shënjestër shtëpi me kasaforta e pasuri. Vidhej thuajse çdo gjë, duke nisur nga paratë, e deri tek veprat e artit apo veshjet e elektroshtëpiaket. Plot 1 milion euro është vlera e përllogaritur nga hetuesit, e cila është akumuluar gjatë vjedhjeve të shumta që ka kryer grupi.
Banda ishte e lidhur gjithashtu dhe me disa pika të tregut të zi, ku shiteshin gjërat e vjedhura. Policia ka zbuluar gjithashtu dhe bazën e grupit shqiptaro- italian, një shtëpi në zonën e Podenzanos, e cila përdorej dhe si vend depozitim i gjërave të grabitura.
Grupi i grabitësve është gjithashtu i akuzuar edhe për trafik të drogës dhe shfrytëzim të prostitucionit.





