Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, e ftuar në emisionin "Rreze dielli" në Report Tv, ka rrëfyer periudhat më të vështira të jetës së saj.

Viti 2017 për këngëtaren Maja Aliçka nuk u tregua aq bujar, pasi në muajin dhjetor u nda nga jeta vëllai i saj i vetëm, pak kohë pasi kishte humbur edhe dy prindërit. Me lot në sy, ajo kujtoi momentin tragjik të jetës së saj.

"Jam tërhequr goxha nga fatkeqësia e fundit, e cila ka ndodhur brenda tre muajsh. Kam qenë prezente vetëm në disa koncerte, por për mua ka qenë shumë e vështirë. Po u rrëzove, duhet të ngrihesh. Ne jemi disa motra dhe kishim vetëm atë vëlla…"

Më tej, Maja kujtoi edhe periudhën kur ka jetuar në Gjermani dhe vështirësitë me të cilat është përballur gjatë jetës si emigrante.

"Shkova për shkollë dhe aty më adoptoi një zonjë në Gjermani, edhe pse isha mbi moshë, mbi 18 vjeçe. Fillova duke punuar, duke pastruar, në fabrikë në teatër etj. Puna më e vështirë që kam bërë ka qenë në fabrikë. Ishte punë monotone. Më mirë të jem në mal të mbledh çaj, sesa të bëj një punë monotone. Kam punuar 2 muaj aty."