Policia ka arrestuar 34-vjeçarin Gentian Hoxha i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi një ditë më parë në dyqanin e celularëve.
Hoxha, i cili ishte pronar i dyqanit të celularëve u arrestua për armëmbajtje pa leje.
Dyshohet se 34-vjeçari merrte porosi për montimin e bombave me celular dhe në varësi të tyre ai paguhej nga 1500 deri në 2000 euro.
Një ditë më parë grupi hetimor gjeti 3 detonatorët dhe sekuestroi një lap top dhe disa celularë që mendohet se 34-vjeçari Gentian Hoxha, do t'i montonte.
Pas shpërthimit, policia ushtroi disa kontrolle në zonën e “Ali Demit”, ku mendohet se janë larguar edhe pjesëtarët e tjerë të rrjetit që mendohet se merrej me prodhimin dhe shitjen e minave të telekomanduara me celular.
Shpërthimi ndodhi në orën 11.00, pranë Institutit të Higjienës, ndërsa Hoxha e kishte mbyllur nga brenda derën e dyqanit dhe mendohet se diçka shkoi keq për 34-vjeçarin.
Nga shpërthimi ai humbi gishtat e duarve dhe ka dëmtime të shumta në sy. Dëshmitarët dëgjuan shpërthim të fuqishëm, ndërsa policia tha paraprakisht se nuk është vendosur lëndë plasëse në servisin e celularëve dhe shpërthimi ndodhi kur Hoxha ishte në tavolinën e punës.
Në këto ambiente ishte edhe një person tjetër, i cili mbeti i lënduar lehtë.





