Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, së bashku me kryeministrin Rama kanë zhvilluar paraditen e sotme një takim me personat e punësuar pas daljes nga skema e ndihmës ekonomike. Gjatë aktivitetit, ministri Ahmetaj ka dhënë edhe një lajm të mirë për familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike.
"Dua të ndaj me ju një instrument të iniciuar nga kryeministri Rama përpara 15 ditësh. Sipas këtij instrumenti çdo person, anëtar i një familje që përfiton nga ndihma ekonomike, apo nëse ka dalë nga ndihma ekonomike së fundmi, përfiton aftësim profesional në qendrat e formimit profesional, falas, madje shteti do t’i japë 55 mijë lekë të vjetra në muaj gjatë kohës që ai riaftësohet për t’u bërë më i punësueshëm", u shpreh ministri.
Përsa i përket skemës ekonomike, ministri tha.
"Dua të theksoj një politikë të kryeministrit dhe qeverisë, për solidaritetin ndaj grupeve në nevojë. Kjo gjë nuk reflektohet vetëm në fund të vitit, ku paketat e solidaritetit janë vetëm një shprehje e vëmendjes të qeverisë Rama1 dhe Rama2, ndaj këtyre grupeve, por e gjithë politika e punësimit, e gjithë politika e aftësimit profesional, shkon në finale drejt reduktimit të varfërisë. Është e rëndësishme të themi disa gjëra në lidhje me betejën kundër varfërisë. Përtej debatit politik, qytetarët duan t’ia dinë sesi do të zgjidhet ky problem. Ndihma ekonomike, për ato familje që janë brenda skemës apo ato që kanë dalë për shkak të pikëzimit, qëllimi është që këtyre familjeve t’i vihet në ndihmë në një moment nevoje. Ndihma ekonomike synon që t’i jepet zgjidhje situatës së këtyre familjeve, dhe të riintegrohen".





