Një mikrobus me nxënës është aksidentuar mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Vërzhezhë të Beratit. Mësohet se automjeti ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga, dhe si pasojë ka shkaktuar plagosjen e disa nxënësve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30, ndërsa policia sqaron se 4 nxënës 17-vjeçarë janë dërguar në spitalin e Beratit, një tjetër është nisur për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa 5 të tjerë janë në Spitalin e Skraparit pasi nuk kanë rrezik për jetën.
"Në orën 07:35, mjeti me targa AA 445 KE me drejtues shtetasin A.H, që transportonte nxënës shkolle nga fshatrat Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës, ka dalë nga rruga. Për pasojë nxënësit E.K, 17 vjeçe A.K, 17 vjeçe, R.H, 17 vjeç dhe B.H, 17 vjeç po dërgohen në Spitalin Rajonal Berat për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa nxënësja R.K, 18 vjeçe, po transportohet në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Janë lënduar lehtë edhe 5 nxënës të tjerë të cilët ndodhen në spitalin e Skraparit, për të marrë ndihmë mjekësore pa probleme për jetën", informon policia e Beratit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.





