Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani thotë se është kërcënuar nga njerëz të afërt me partinë Bashkimi Demokratik për Integrim. Ai e ka denoncuar rastin në polici, por nuk ka dhënë më shumë sqarime për median, përveç një njoftimi në rrjetin social Facebook ku shkruante se nuk ishte hera e parë që merrte kërcënime të cilave “nuk ua kishte frikën por se i kishte raportuar ato në polici thjesht për të lënë gjurmë nëse dikush prej dhunuesve të BDI-së përpiqet t’i realizojnë ato kërcënime”.
Zoti Selmani reagoi ashpër para pak ditësh pas një njoftimi se ish-drejtuesi i BDI-së në Çair të Shkupit, Beqir Hasani kishte sulmuar fizikisht një police, grua, kur karrotreci po i merrte veturën në Bit pazar të Shkupit.
Policja, edhe pse fillimisht kishte kërkuar përforcim dhe trajtim mjekësor, të nesërmen kishte ndryshuar deklaratën pas një takimi me ministrin e rendit, duke thënë se “nuk kishte pasur kontakt fizik me Hasanin dhe se kishte lënduar gishtin e dorës nga karrotreci”.
Gazetari Selmani kërkonte përgjegjësinë e Beqir Hasanit dhe llogaridhënie dhe veprimin e shtetit ligjor në këtë rast.
“Shteti juridik u gunjëzua para një dhunuesi, i mbështetur nga BDI. Qeveria na ka borxh të sqarojë, kush bën trysni ndaj polices Jasmina Jançovska të ndryshojë deklaratën për incidentin te Mavrovasja. Nëse nuk e mbrojmë Jasminën, Maqedonia do të jetë shtet i dhunuesve si Beqir Asani! Turp!”, kishte shkruajtur z. Selmani në Facebook.
Më pas, ka rezultuar kërcënimi i vëllait të Beqir Hasanit në adresë të gazetarit Selmani, sipas këtij të fundit.
Vetë BDI nuk ka dashur të bëjë më shumë komente në lidhje me rastin, ndërsa përfaqësues të partisë shqiptare në pushtet kanë thënë shkurt se nëse ka ndonjë shkelje ligji atëherë janë organet përkatëse të cilat do të merren me rastet e tilla.
Ndërkaq, kanë reaguar shoqata dhe organizata mediatike në Maqedoni duke i dënuar kërcënimet ndaj kryetarit të SHGM-së, Selmani.
Në Maqedoni janë regjistruar një mori sulmesh fizike ndaj gazetarëve brenda disa viteve të fundit, por deri më tash pothuaj se asnjë rast nuk është zbardhur dhe asnjë prej sulmuesve nuk është dënuar nga gjykatat e vendit./VOA