Pamjet e marra nga operatori i “DurrësLajm” dëshmojnë një realitet që përsëritet çdo mbrëmje në shëtitoren “Taulantia”.
Të mitur dhe adoleshentë qarkullojnë çdo natë në këtë hapësirë publike me monopatina dhe motorë elektrikë, mes qytetarëve që shijojnë shëtitjen në një prej zonave më të frekuentuara të Durrësit.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është fakti se, në jo pak raste, mbi këto mjete udhëtojnë jo një, as dy, por deri në tre persona njëherësh.
Qarkullimi në këtë mënyrë, mes këmbësorëve dhe në një zonë me fluks të lartë qytetarësh, rrit rrezikun për incidente, veçanërisht kur bëhet fjalë për të mitur.
Pamjet ngrenë pikëpyetje edhe për kontrollet dhe masat e sigurisë, sidomos në orët e mbrëmjes, kur shëtitorja mbushet me qytetarë dhe pushues.





