Janë shokuar e tmerruar banorët në lindje të Rusisë kur kanë gjetur një çantë që mbante 27 palë duarsh njeriu të sharruara.
Zbulimi u bë në qytetin Kabarovsk të Siberisë, në afërsi të kufirit me Kinën, ku një banor gjeti një nga duart në breg të lumit dhe më pas çantën e mbushur plot, në afërsi të një pike peshkimi.
“Siberian Times” shkruan se identiteti i personave të cilëve u përkisnin duart mbetet mister, ashtu si dhe motivet përse ato janë prerë.
Ndërkohë mes banorëve kanë nisur të qarkullojnë teoritë e komplotit. Njëra prej tyre sugjeron se duart janë prerë me sëpatë si ndëshkim për vjedhje. Një tjetër se u janë prerë trupave të vdekur në spital. E treta dhe më e frikshmja është që trupat të jenë përdorur fillimisht për marrjen e organeve me qëllim trafikimi dhe duart u janë prerë për të parandaluar identifikimin më pas.





