Aksioni i kapjes së 613 kilogramë kokainë ishte një sukses i Policisë Shqiptare, pasi sekuestroi sasinë më të madhe të kokainës në vend. Por pyetjet për këtë sasi droge që në treg kushton 180 milionë euro vazhdojnë të mbeten pa përgjigje edhe sot. Përveç drogës, deri në më sot nuk ka asnjë person të rëndësishëm që të jetë arrestuar si pronar i saj. Operacioni më i madh antidrogë në Shqipëri ka sjellë arrestimin e vetëm dy personave. Më 27 shkurt kur u kap kokaina, u arrestuan shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe administratori i kompanisë që kishte porositur bananet në Kolumbi, Donald Lushaj. Dy ditë më përpara se të kapej sasia e kokainës, ose me saktë që bë publike, nga Shqipëria ishte larguar pronari i kompanisë, Arbër Çekaj, i cili ishte shpallur në kërkim.

Të tre emrat e përmendur nuk përjashtohen si të përfshirë në trafik, por 180 milionë euro drogë janë një shumë mjaft e madhe parash që nuk mund të menaxhohen nga një shofer kamioni dhe një pronar biznesi bananesh. Në listë mungon pronari i vërtetë që ka arritur të mos identifikohet në këtë histori dhe jo më të arrestohet. Janë një seri ngjarjesh që kanë ndodhur nga momenti që droga kolumbiane është pikasur në portet e Europës, pavarësisht se Kryeministri shqiptar thotë se droga u kap vetëm nga Policia Shqiptare. Armando Pezaku deklaroi sot në Polici se kontenieri ishte vonuar pas kontrolleve në portin e Livornos në Itali. Më pas droga është mbajtur disa ditë në Portin e Durrësit, ku Policia dhe Prokuroria thonë se kanë bërë hetime dhe kanë konstatuar kokainën. Gjithashtu, thonë se e kanë mbajtur sekret informacionin. Çuditërisht po këto ditë, më 23 shkurt, ka dhënë dorëheqjen dhe Drejtori i Portit të Durrësit, Artjan Qirici, i cili kishte vetëm 4 muaj që ishte zgjedhur në këtë detyrë. Për këtë largim nuk pati asnjë arsye zyrtare. Ndërkohë që largimi i tij ka ndodhur pikërisht në kohën që Prokuroria dhe Policia kanë kërkuar survejimin e ngarkesës së drogës. Jo zyrtarisht në Portin e Durrësit u fol se shkarkimi i befasishëm i drejtorit të ri ndodhi pikërisht për shkak të kontrollit jo sipas rregullave të ngarkesave. Por qeveria po mundohet ta mbajë larg vëmendjes se mediave një fakt të tillë. Pse? Çfarë fshihet pas këtij largimi të befasishëm? Çfarë di drejtori i Portit, i cili nuk kishte as katër muaj si drejtor i zgjedhur nga “tepsia” e Kryeministrit? A e ka thirrur si dëshmitar Prokuroria e Krimeve të Rënda apo edhe në Prokurori diçka fshehin?

Në operacionin e Maminasit ka dhe një detaj që nuk përmendet shpesh nga policia dhe as nga prokuroria. Shoferi i kamionit dhe pronari i firmës së bananeve nuk janë e njëjta kompani. Kompania që kreu transportin është një firmë e njohur në Durrës. Për shkak se policia ndërhyri shpejt në aksion, ajo që nuk dihet është nëse droga është e kompanisë së bananeve, apo pas shkarkimit të bananeve kontejneri ku ishte fshehur droga do të kthehej sërish në Durrës?

Në Durrës dhe Tiranë ka një opinion publik që flet se kush mund të kishte forcë shtetrore për ta garantuar një ngarkesë të tillë 180 milion dollarëshe.

Shkarkimi drejtorit të Portit të Durrësit pikërisht në ditët e ardhjes se kokainës, ndërkohë që sapo ishte emëruar, ngre dyshime të forta për prokurorinë e krimeve të rënda.

“Peshku i madh” rri e drekon sa në Durrës e në Tiranë! /Kohajone