Deputetja e re e dalë nga zgjedhjet e fundit nën siglën e M5S në Itali, Piera Aiello, e cilësuar si kandidatja "pa fytyrë", do të përfaqësojë në Parlament Siçilinë, siç shkruan "Corriere Della Sera".
Piera Aiello është "pagëzuar" me nofkën "pa fytyrë", pasi gjatë gjithë fushatës nuk ka zbuluar fytyrën e saj.
Ajo është e detyruar ta fshehë fytyrën për çështje sigurie, pasi u martua me djalin e një mafiozi e më pas u bë dëshmitare e drejtësisë kur i vranë bashkëshortin, por Piera tashmë do të duhet të zbulohet në Parlament pasi ka arritur të marrë në këto zgjedhje plot 51% të votave.
Ajo ka deklaruar se ka vendosur të kandidojë pikërisht për faktin se tashmë do që të kthejë fytyrën. "Vendosa të bëhem kandidate, sepse dëshiroj ta kthej fytyrën time",- ka deklaruar ajo mes të tjerash.
Historinë e saj Piera e ka treguar edhe në librin "Mafia e mallkuar", të cilin e ka shkruar me ndihmën e gazetarit Umberto Lucentini, dhe prestigjiozes "The Guardian". E ndërsa ajo mund të ekspozojë më në fund fytyrën, siguria rreth saj do të vazhdojë të jetë e lartë.





