Autoritetet amerikane kanë vënë në dispozicion një shpërblim prej 25 mijë dollarësh për këdo që ka informacion për studenten shqiptare të aktrimit Adea Shabani nga Maqedonia, e cila u zhduk në Hollywood 11 ditë më parë.

Adea u zhduk në rrethana misterioze në datën 23 shkurt. Ajo u pa për herë të fundit në Wilcox Avenues, jo shumë larg vendit ku banonte dhe po të njëjtën ditë ishte parë edhe në zonën e Santa Clarita Valley.

25-vjeçarja u largua nga Maqedonia për të studiuar aktrim dhe kishte rreth 2 vite që jetonte në Los Angeles. Miqtë dhe familjarët e saj vijojnë kërkimet pa pushim. Në të gjithë zonën ku ajo jetonte janë vendosur fletushka me të dhënat e së resë, ndërsa mediat amerikane, por jo vetëm, i kanë kushtuar vëmendje lajmit për zhdukjen e 25-vjeçares.

Miqtë e saj thanë se ndjenë që diçka nuk shkonte me Shabanin, kur ajo nuk po u kthente përgjigje në telefon. “Nuk ishte në karakterin e saj, ajo përgjigjej gjithmonë”, shpjegoi për “ABC7” mikesha e saj.

Nëna e Shabanit ka punësuar një detektiv privat me shpresën për të gjetur të bijën dhe aktualisht ndodhet në Amerikë.

Ishte pikërisht detektivi Jayden Brant i cili tha se “Nuk ka asnjë provë që të tregojë se është larguar vetë. Kjo nuk është diçka e vullnetshme. Nuk kemi asnjë të dhënë që ajo donte të dëmtonte veten”.