Ish-kryeministri Sali Berisha duke u ndalur tek sasia e drogës së kapur në Durrës gjatë seancës së sotme plenare, tha se Rama kërkon të shesë xhaxhain e Arbër Cekajt si të afërt të PD-së ndërkohë që ai është kryetari i PS-së në Tropojë.

Berisha deklaroi se kompania që kishte ngarkesën me banane ka financuar fushatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.

"Xhaxhai i tij ka qenë kryetari i PS Tropojë. Dikush tjetër më ka çarë mitingun me bustin e Enver Hoxhës në supe. Shkoni tek Erion Veliaj shihni borderotë e fushatës sa para keni marrë nga ajo kompani. Pasi e panë se u zbuluan kaluan të parin dhe natyrisht punonjësi i ndërgjegjshëm bëri detyrën e tij. Jo drejtori i doganës, jo hetimi doganor por një punonjës i vetëm. Dihej, nga Livorno kishte ardhur njoftimi. GDF e kishte ndjekur në Maltë dhe në Durrës. Si të duket kjo? Ku e çuat kontejnerin për 9 ditë? Donit t’i merrnit drogën. Meqenëse gënjyet shqiptarët dhe botën do ju lexoj diçka. Përveç raportit ose komunikatës së marinës kolumbiane kam këtu fjalimin e ministrit të mbrojtjes së Kolumbisë. Këtë fjalim e ka mbajtur i shoqëruar nga ambasadori i SHBA por edhe gjenerali amerikan, zv.këshilltar i sigurisë kombëtare i Presidentit Trump. Ia çjerr maskën klanit Rama, që tha se nuk ka pasur bashkëpunim."