Davide Astori, kapiteni i skuadrës së Fiorentinës, është gjetur i vdekur në hotelin La di Moret në Udine.
Kapiteni i klubit të njohur italian u nda nga jeta në moshën 31-vjeçare. Shkaqet e vdekjes nuk dihen ende, megjithatë dyshohet për atak kardiak.
Ndeshja mes Udinezes dhe Fiorentinës e planifikuar për t’u luajtur sot, është shtyrë për një datë pacaktuar pas këtij lajmi shokues.
“Fiorentina është thellësisht e tronditur të njoftojë se kapiteni Davide Astori ka vdekur. Për këtë situatë të tmershme dhe delikate, dhe mbi të gjitha në respekt të familjes së tij, ne apelojmë mediat për ndjeshmërinë e këtij lajmi”, thuhet në një deklaratë të klubit italian.
Davide Astori ka luajtur më parë me Milanin dhe me Romën, ndërsa në vitin 2011 ka bërë debutimin e parë me Italinë dhe në vitin 2013 ka luajtur në Kupën e Konfederatave.





