Policia Rrugore e Tiranës, ka vijuar e vijon në mënyrë të pandërprerë punën me Radar në autostradën Tiranë-Durrës për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, e sidomos ata që qarkullojnë deri në tre herë më shumë nga limiti i lejuar.
Edhe orët e vona të së shtunës, Radari ka regjistruar në Qafë –Kashar një tjetër automjet që qarkullonte me shpejtësi gati fluturuese e jo për të qarkulluar në rrugë.
“Në një trafik me kaq shumë lëvizje, në kushte të lagështirës në rrugë dhe shumë faktorëve të tjerë dhe të guxosh të qarkullosh me shpejtësi 212 km/orë, kjo është vetëvrasje, për drejtuesin e mjetit, por edhe rrezik i madh për të gjithë përdoruesit e rrugës. Pavarësisht se 24-vjeçari H.N., nga Tirana drejtonte një automjet “Benz 320”, kjo s’do të thotë se makina luksoze duhet të fluturojë, e të rrezikojë jetën e përdoruesve të rrugës”, thotë policia në njoftimin e saj duke u bërë njëkohësisht edhe apel drejtuesve të automjeteve:
“Qarkulloni duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, që të gjithë së bashku, policë rrugorë, drejtues mjetesh e këmbësorë të kontribuojmë që të rritet siguria e jetës në rrugë”.





