Një shqiptar nga Kosova është kthyer në qendër të vëmendjes së mediave dhe publikut në Gjermani për shkak të gjestit të tij. Albion Visoka nga Podujeva është ai që ka zënë faqen e gazetës ‘Bild’, pasi misioni i tij është t'iu vijë në ndihmë shtresave në nevojë dhe të pastrehëve duke iu falur ushqim e pije.

Visoka është pronar i një picerie në Berlin. Ai tani te banorët vendas njihet si shqiptari, të cilin e thërrasin kudo që ka njerëz të pastrehë ose që jetojnë në ambient të hapur.

“Njerëzit kanë nevojë për ndihmën tonë në këto temperatura, dhe shpresoj se mund të motivoj edhe lokalet e tjera që të ndihmojë edhe ata”, ka thënë ai.

‘Bild’ shkruan se si Albion Visoka u arratis nga Kosova me familjen e tij në 1997-n në Gjermani. “Babai i tij, Nasko Visoka 60 vjeç, është krijues i pasionuar i picave në “Ceeser”, dhe e gjitha familja vepron si një ekip në krijimin e picave. Për dy vjet, ata kanë furnizuar njerëzit e pastrehë në mjediset e hapura gjatë stinës së dimrit”, shkruan Bild.de.