Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e mjekut ligjor Albert Kreçi, i cili klasifikoi si “plagosje të lehtë” pasojën e aksidentit të 13-vjeçarit, Adi Bramko.
Sot kryetari i ekspertëve Mjeko Ligjorë, Bledar Xhemali dhe juristi i këtij institucioni, Amarildo Mekollari deklaruan shkarkimin e Albert Kreçit dhe dërgimin e materialeve Ministrisë së Drejtësisë.
Veç kësaj, sipas zotit Xhemali, Albert Kreçi ka kryer vepër penale, ndaj për këtë çështje duhet të nisë hetimet prokuroria.
Eksperti mjeko-ligjor, Albert Kreçi ka shkelur 2 nene, nenin numër 33 dhe 34 të këtij institucioni, duke i dhënë kompetencat vetes si një ekspert mjeko ligjor i brendshëm, ndërkohë që është i jashtëm.
Juristi i IML, Amarildo Mekollari u shpreh se institucioni ka marrë të gjitha masat në lidhje me këtë rast, duke e ndjekur procedurialisht dhe duke njoftuar Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa kryetari i ekspertëve mjeko ligjorë, Bledar Xhemali deklaroi pushimin nga puna të Albert Kreçit dhe i konsideroi këto shkelje çështje penale.
“Do merret masa… shumë pak masa, që do të marrim ne si institucion! Për mua ajo është çështje penale. A e kupton?! Është akt i rëndë! Pra, që sot është i hequr nga puna, pastaj më tej duhet… për mua është prokuroria që duhet të futet në veprim, edhe që nga fjalori i përdorur, edhe nga të gjitha gjërat! Tani e kemi shkresën gati që e kemi hequr nga puna. Do informojmë Ministren (e Drejtësisë) në lidhje me procedurat!” /tvklan





