Policia dhe dogana në Durrës kanë rritur e shtuar kontrollet ndaj subjekteve importuese dhe eksportuese të produkteve si industrialë edhe atyre ushqimorë në pikën e kontrollit të skanerit.

Masat e shtuara vijnë një ditë pasi u kapën 613 kg kokainë që dolën në një kontenier të mbushur me banane nga porti i Durrësit drejt kompanisë “Arbri Garden” shpk me qendër në Maminas.

Në skaner gjatë ditës së sotme janë futur edhe kamionët frigoriferike të mbushur me produkte mishi, peshku e fruta-perime, duke shkaktuar ankesa dhe sjellë reagimin e përfaqësuesve të këtyre subjekteve për rrezatimin që merr produkti i destinuar për konsum nga popullata.

Policia dhe dogana janë treguar shumë diskretë në lidhje me dy kontenjerët e “Arbri Garden”, që gjenden në terminalin e kontenierëve pasi janë shkarkuar nga anija transportuese.

Në skaner nuk ka kaluar asnjë kontenier me banane gjatë ditës së sotme, ndërsa nuk dihet nëse i ka nisur apo jo procedurat e zhdoganimit kompania “Arbri Garden”.

Një gjë është e sigurtë, që policia sërish do të ushtrojë kontrolle në këto kontenierë pas dyshimit të arsyeshëm ku në ngarkesën e djeshme u gjet sasia rekord e drogës së llojit kokainë e kapur ndonjëherë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan.

Kontenierët vijnë të vulosur nga jashtë dhe kontrolli i tyre bëhet vetëm kur malli hapet në ambientet e kompanisë.

K.H.