Durrsaku Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierin me banane brenda të cilit u zbulua 613 kg kokainë ka qenë në vendin dhe momentin e gabuar.

Panorama shkruan se Pezaku ka deklaruar se është informuar vetëm pak minuta më parë nga kompania e transportit për rrugën e radhës.

“Nuk kam lidhje fare me drogën. Unë jam thjesht shofer dhe shkoj aty ku më caktojnë. Për ngarkesën e radhës u informova vetëm para pak minutash para se të nisesha. Sa për dijeni, ne nuk na thotë njeri se me çfarë është ngarkesa. Ne (shoferët) shkojmë afrojmë kokën e kamionit pranë terminalit ku ndodhen mbi 2000 kontenier, marrim njërin prej tyre ( që na ka caktuar kompania e transportit), shkojmë tek sporteli për të mar  dokumentacioni që kemi ngarkuar dhe nisemi për rrugë. Personalisht nuk njoh dhe skam konfidencë me asnjë prej punonjësve të kompanisë “Arbri-Garten”. Thjesht ndodhesha në vendin dhe momentin e gabuar, fatin tim të keq mund ta kishte një shofer tjetër”,- mësohet të ketë deklaruar Pezaku i arrestuar një ditë më parë nga policia në lidhje me drogën e bllokuar në kontenierin që ai transportonte.

Mësohet se Pezaku është treguar i gatshëm për tu hetuar, pasi deklaron se nuk ka lidhje më këtë grup kriminal.

“Jam absolutisht i hapur për hetime. Shikoni, përgjoni, kontrolloni telefonatat dhe tablatet e celularëve të mi. Nuk kam asnjë problem sepse skam lidhje fare me këtë punë”,- ka theksuar drejtuesi i kamionit.