Pas finalizimit të aksionit ku u kap sasia më e madhe e kokainës e zbuluar ndonjëherë në Ballkan, plot 613 kg ka pasur bashkëpunim mes policisë e prokurorisë, institucione këto që deri pak kohë më parë kanë pasur përplasje.
Gazetarja Klodjana Lala dha sot të dhëna të reja edhe për administratorin e firmës ‘Arbi-Garden’ SHPK, Arbër Çekaj, i cili është shpallur tashmë në kërkim.
Sipas saj, për të sjellë një sasi kaq të madhe droge në një vend duhen lidhje të forta dhe dyshohet që ky i fundit të ketë lidhje me eksponentë të lartë të mazhorancës.
“Është vepruar shpejt nga policia për të arrestuar edhe administratorin Arbër Çekaj, biznesmen i njohur në disa fusha, në reklama apo veprimtari të ndryshme përveç tregtisë së bananeve, por deri më tani nuk kanë arritur ta gjejnë.
Në banesën e tij në Manzë nuk janë gjetur sende kompromentuese. Shumicën e kohës ai qëndronte në Gjermani. Pikërisht në Gjermani ka pasur dyshime edhe më herët se ishte i përfshirë në trafik droge, por mbeten vetëm dyshime, po ashtu ka dyshime që ka lidhje me eksponentë të lartë të mazhorancës së sotme.
Polica dhe prokuroria është shumë pranë atyre që konsiderohen peshqit e mëdhenj, nuk mund të vijë një sasi e tillë pa pasur një mbështetje”,- tha gazetarja Lala. /BalkanWeb





