Ish-kryetari i degës së PD-së së Durrësit Osman Stafa ka shpërthyer në një postim në Facebook, ndaj atyre që sipas tij nuk ia kthejnë dot dinjitetin Partisë Demokratike.

Stafa shprehet i revoltuar ndaj përfaqësuesve të së djathtës, që sipas tij nuk ngjallin shpresë për fitore në zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi “jo pak herë Dako i ka shpërblyer me "buzëkuq" lejesh ndërtimi dhe favore xhepat e "shpëtimtarëve" me flamur pa ngjyrë që sot guxojnë dhe flasin në emër dhe me bekimin e z. Basha…”

Duket se Stafa është i zhgënjyer nga mënyra sesi po qeveriset PD-ja, sepse idealet dhe parimet mbi të cilat u ngrit kjo forcë politike nuk ekzistojnë më.

“Vazhdoj t'i qëndroj besnik bindjeve, idealeve dhe parimeve mbi të cilën qendron sistemi demokratik, ani se sot ky sistem nuk ekziston….!”, – shkruan Stafa.

Postimi i plotë i Osman Stafës:

Puthjet e rreme, të shoqëruara me tē shara nën buzëqeshje, nuk ia kthejnë dot dinjitetin forcës së parë politike në Shqipëri,
Partisë Demokratike!
Mllefet, tradhëtitë dhe "të kuqtë" e buzëve të burrave pa dinjitet dhe burrëri, vështirë se ngjallin shpresë për fitore përballë Dakos, që jo pak herë i ka shpërblyer me "buzëkuq" lejesh ndërtimi dhe favore xhepat e "shpëtimtarëve" me flamur pa ngjyrë që sot guxojnë dhe flasin në emër dhe me bekimin e z. Basha…
Unë nuk jam skllav i vesit!
Paraja nuk është zoti im!
Zoti im është lart në qiell!
Vazhdoj t'i qëndroj besnik bindjeve, idealeve dhe parimeve mbi të cilën qendron sistemi demokratik, ani se sot ky sistem nuk ekziston….!
E drejta është më e çmuar se paqja!
Kjo është paqe e rreme, per fatin tonë të keq….!